
Në podkastin e së dielës “Flasim”, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatet për projektin e investimit në Zvërnec, duke mbrojtur politikat e qeverisë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Rama tha se Shqipëria ka pësuar një transformim të rëndësishëm në dekadën e fundit sa i përket ruajtjes së pasurive natyrore, duke kujtuar se 10 vite më parë zonat e mbrojtura ishin të pambrojtura dhe të ekspozuara ndaj shfrytëzimit të pakontrolluar.
“Flamingot jo vetëm që vriteshin, por edhe haheshin. Zonat e mbrojtura ishin tokë pa zot dhe shumë prej pasurive natyrore ishin pre e babëzisë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama theksoi se ndërhyrjet e qeverisë kanë bërë të mundur zgjerimin e zonave të mbrojtura në 25 për qind të territorit të vendit, ndërsa përmendi edhe ndalimin e projekteve hidroenergjetike në lumin Vjosa, të cilat sipas tij do të kishin ndryshuar përgjithmonë ekosistemin e zonës.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu faktin që Shqipëria ka marrë kryesimin e procesit Forest Europe, duke e konsideruar këtë si një tregues të besimit dhe vlerësimit ndërkombëtar për politikat mjedisore të vendit.
Një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Rama e cilësoi përfshirjen e Liqenit të Shkodrës në biosferën e UNESCO-s, duke e quajtur atë një lajm të madh për Shqipërinë dhe për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.
Sipas tij, ky është një dëshmi se vendi po arrin të balancojë zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit, ndërsa kritikoi qasjet që, sipas tij, e shohin zhvillimin dhe konservimin si procese të papajtueshme.
“Zgjidhja nuk është ose të konservosh, ose të ndërtosh. Sfida është t’i harmonizosh të dyja, në mënyrë që burimet natyrore të shërbejnë edhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, deklaroi Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur projekti i investimit në Zvërnec ka shkaktuar debate dhe reagime nga grupe të ndryshme mjedisore, të cilat kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në ekosistemin e zonës.Versus.al

