
Aksioni i nisur nga kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike po sjell tronditje në disa bashki të vendit.
Pas ndërhyrjes në Vlorë, Rama zhvilloi takime me tone të forta edhe në Bashkitë e Fierit dhe Durrësit, ku kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtuesve që varen nga administrata lokale, përfshirë edhe krerët e institucioneve që, sipas tij, kanë dështuar në përmbushjen e detyrave.
Në takimet me kryeministrin ishin të pranishëm drejtorë rajonalë, drejtues institucionesh dhe deputetë të qarqeve përkatëse. Fillimisht, Rama ndaloi në Fier, ku kritikoi ashpër gjendjen e hapësirave publike, nivelin e pastërtisë dhe mospërfilljen ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se besimi i qytetarëve, i shprehur me 12 mandate për PS-në në Fier, duhet kthyer në përgjegjshmëri dhe punë konkrete.
Largimet nga detyra pritet të ndodhin në mënyrë të koordinuar dhe në bazë të performancës individuale të secilit drejtues.
Ndryshimet e paralajmëruara u njoftuan fillimisht nga vetë Rama teksa ishte rrugës për në Fier, ku theksoi nevojën për “energi të reja” dhe një qasje më efikase ndaj problematikave urbane.
Kujtojmë se aksioni nisi në Vlorë, ku u shkarkuan 21 drejtorë dhe u vendos një ultimatum për bizneset që kishin zënë hapësirat publike, kryesisht trotuaret./Versus.al







