POLITIKË /

PD-PS ende pa një draft përfundimtar për "Territorialen", Mazniku: Nëse nuk mbyllet deri më 15 korrik, zgjedhjet e 2027 bëhen me ndarjen aktuale të bashkive

Mazniku, u shpreh se nëse deri në këtë datë nuk prodhohet një dokument konkret, procesi rrezikon të shtyhet deri në vitin 2031, duke lënë në fuqi ndarjen aktuale territoriale.

Shkruar nga Versus

PD-PS ende pa një draft përfundimtar për

Reforma territoriale ka hyrë në fazë vendimtare, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka afat deri më 15 korrik për të paraqitur një draft ose raport përfundimtar mbi ndarjen e re administrative të vendit, që pritet të ndikojë zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Në një intervistë televizive, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, u shpreh se nëse deri në këtë datë nuk prodhohet një dokument konkret, procesi rrezikon të shtyhet deri në vitin 2031, duke lënë në fuqi ndarjen aktuale territoriale.

Mazniku theksoi se qëndrimi i Partisë Socialiste mbetet për uljen e numrit të bashkive, duke argumentuar se disa prej tyre nuk kanë kapacitetet e nevojshme dhe duhet të bashkohen për të funksionuar më efektivisht.

Ai shtoi se gjatë dëgjesave të zhvilluara me përfaqësues vendorë, disa bashki nuk kanë marrë pjesë, ndërsa theksoi se prania në komision nuk është e detyrueshme.

Sipas tij, është rënë dakord që në proces të marrin pjesë kryetarët e bashkive dhe jo nënkryetarët, ndërsa në rastin e Bashkisë së Tiranës mbetet ende e paqartë përfaqësimi institucional.

Mazniku nuk përjashtoi mundësinë që Partia Socialiste të vijojë e vetme reformën nëse nuk arrihet dakordësi me opozitën, duke theksuar se PS ka mandatin për të çuar përpara reforma të rëndësishme.

Opozita, nga ana tjetër, ka kërkuar një rritje të numrit të bashkive, duke argumentuar se ato duhet të jenë më afër qytetarëve, çka e bën debatin për reformën territoriale ende të hapur.Versus.al

Poll