
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike do të pajisen me një kartë të posaçme, të cilën do ta përdorin për blerjen e produkteve ushqimore bazë.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama tha se lista e produkteve do të përcaktohet me qëllim shmangien e abuzimeve.
Sipas tij, karta nuk do të lejojë blerjen e produkteve që nuk konsiderohen esenciale, duke përmendur si shembull përdorimin e saj për alkool apo lojëra fati.
Kryeministri njoftoi gjithashtu krijimin e kompanisë “AlbTrace”, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila do të merret me gjurmimin dhe ndjekjen e produkteve në treg.
Ai shtoi se ky sistem do të ndihmojë në rritjen e transparencës, luftimin e informalitetit dhe zgjerimin e mbështetjes sociale për kategori të ndryshme në të ardhmen.
Kryeministri Rama: Kemi krijuar një kompani publike në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara që quhet “AlbTrace”, që është për ndjekjen dhe gjurmimin e produkteve, por jo vetëm. Dhe një program tjetër që besoj do ta fusim shpejt është një program që do të na sigurojë që, duke filluar nga familjet në ndihmë ekonomike, t’i pajisim me një kartë, të cilën ata ta përdorin për të marrë ushqimet në çdo vend që ka kasë. Dhe kështu ne të garantojmë që gjithçka që paguan shteti për ndihmë ekonomike shkon për ushqimet bazë sipas listës që do të bëhet dhe nuk shkon as për raki, që merr ndonjë burrë i dehur, as për bixhoz. Ky është vetëm hapi i parë dhe kjo është vetëm kategoria e parë, sepse pastaj do të kemi mundësi, me këtë sistem, që në rast se do të duhet bërë një paketë mbrojtëse, t’ia japim tek karta. Me këtë sistem do të bëjmë edhe gjithë mbështetjet për ushtarakët, për punonjësit e policisë, për të tjerë që shërbejnë jashtë qytetit, etj. Dhe kjo, te informaliteti, do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm. Pra, nuk është një kartë e kufizuar. Sipas kategorive, karta aty ka, për shembull, të gjithë pagën. Ky është një projekt që po punojmë dhe që lidhet me informalitetin, sepse me teknologjinë dhe digjitalizimin mund të bëjmë shumë gjëra të tjera kundër informalitetit./Versus.al

