Kryeministri Edi Rama ka nisur ditën e sotme me një postim në rrjetet sociale lidhur me ecurinë e negociatave me BE dhe konferencën ndërqeveritare që do të mbahet në Bruksel për të shënuar nisjen e fazës për përmbylljen e kapitujve negociues.
Në nisje të shkrimit të tij për raportin e IBAR që pritet të miratohet sot në mbledhjen e ambasadorëve të BE, ai nuk ngurroi të ironizonte opozitën dhe protestat e saj duke thënë se u përpoq që ta baltoste Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve, por nuk ia doli.
"MIRËMËNGJES. Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.
U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.
Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi. Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri - BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton.
Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE.
Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik. Forca Shqipëria"- shkruan Rama duke iu referuar mbledhjes që pritet të zhvillojnë sot ambasadorët e vendeve të BE për miratimin e raportit të IBAR.
Kreu i qeverisë nuk ishte i pranishëm në interpelancën e ditës së djeshme në Kuvend të kërkuar nga PD për emigrimin masiv të shqiptarëve dhe mungesën e lindjeve dhe të fuqisë punëtorëve në vend. Versus.al


