
Më 11 korrik, kryeqyteti shqiptar do të mirëpresë një nga artistët më të njohur dhe më me influencë në botën artistike, reperin Kanye West, i njohur me emrin e artit "Ye".
Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, në zonën e Kasharit ka nisur puna për ndërtimin e stadiumit provizor vetëm për shfaqjen e këngëtarit me famë ndërkombëtare i cili pritet të sjellë një numër të madh vizitorësh në Shqipëri.
”Ka nisur puna në Kashar për sheshin ku do të instalohet stadiumi provizor për super spektaklin e Kanye West në Shqipëri, një produksion i përmasave dhe standardeve globale që pritet ta ngrejë Shqipërinë në tjetër nivel reputacioni ndërkombëtar.
Një mega event i këtyre dimensioneve përfaqëson jo vetëm një moment të rëndësishëm artistik e kulturor, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vendit, zhvillimin e turizmit dhe fuqizimin e ekonomisë lokale përmes vëmendjes që sjell nga industria globale e muzikës, medias, showbiz dhe entertainment-it.”- shkruan ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Pas përfundimit të shfaqjes, stadiumi do të çmontohet sërish. Biletat për koncertin e West variojnë nga 90 euro e sipër, ndërsa stadiumi pritet të ketë deri në 60 mijë vende. Versus.al

