AKTUALITET /

U ndalua nga izraelitët në Gaza, aktivisti shqiptar, Baki Goxhaj: Na morën peng dhe na trajtuan si bagëti

Goxhaj ishte në mesin e dhjetëra aktivistëve të tjerë nga vende të ndryshme të botës të cilët u nisën drejt Gazës me flotijen "Sumud" për ndihma humanitare.

Shkruar nga Versus
U ndalua nga izraelitët në Gaza, aktivisti shqiptar, Baki Goxhaj: Na
Momenti kur Baki Goxhaj takohet me gruan dhe fëmijët e tij

Pasi mbërriti në Shqipëri, aktivisti Baki Goxhaj i cili u ndalua nga Izraeli teksa shkonte në Gaza, u mbajt për rreth 2 orë në aeroportin e Rinasit ku u mor në pyetje nga autoritetet shqiptare.

Goxhaj u prit nga fëmijët e tij menjëherë sapo shkeli në tokën shqiptare. Ndërsa foli për ngjarjen e ndodhur, vlonjati rrëfeu sesi flotija në të cilën ndodhej u ndalua nga autoritetet izraelite.

Sipas tij, izraelitët i trajtuan shumë keq, duke i kërcënuar me armë dhe duke i mbajtur të lidhur në një vend ku u çonin vetëm ujë dhe bukë të thatë.

“Unë jam nga Vlora dhe vitet e fundit jam angazhuar si aktivist për çështjen palestineze, për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po zgjat prej 80 vitesh si një plagë e hapur në botën moderne. Organizata që merret me organizimin e flotiljes është online dhe ka hapur aplikime për t’u bërë pjesë e flotiljes. Edhe unë, pasi u informova, ndoqa procedurat për t’u bërë pjesë e saj. Rreth 10 ditë më parë u nisëm. Ne ishim në ujëra ndërkombëtare kur pamë disa anije të mëdha dhe dy skafe të fuqishëm që po afroheshin. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, nuk ishte e mundur. Duke u afruar, na kërcënuan dhe qëlluan me armë; nuk e di nëse ishin plumba të vërtetë.

Hipën në anije, na lidhën duart të gjithëve; mua më lidhën edhe sytë, sepse isha pak i zëshëm duke kërkuar të na lironin. Na morën zvarrë dhe na çuan në një anije të madhe të sajuar me kontejnerë, ku kemi qëndruar 2 ditë e 2 net si bagëti. Në anije kishim vetëm ujë për të pirë dhe bukë të thatë.

Kam qenë aty dhe e kam parë me sytë e mi; kam dëgjuar një vajzë palestineze jo shumë larg meje që më pas u dhunua. E kam parë gjithë skenën”, tha Goxhaj duke treguar se kishte qenë mes personave të ndaluar që u shfaqën në videon e ministrit izraelit. Versus.al

Poll