
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar sot në Kuvend që qeveria të tregojë se kush fshihet pas projektit të Zvërnecit.
Ai tha se, pas investitorëve miliarderë fshihet një strukturë e regjistruar në parajsa fiskale në Holandë, që mbron përfituesit e vërtetë.
“Marrëveshja fsheh pronarët në Holandë, çështja qelbet erë në Kadastrën e Vlorës”, tha kreu i grupit parlamentar të PD, teksa shtoi se opozita nuk është kundër zhvillimit, por kundër zhvatjes së pronës publike dhe private përmes parave të pista.
“Le të dalë e të thotë nëse i ka shkarkuar drejtorët e Kadastrës në Vlorë për çështjen që qelbet erë të pronave në Zvërnec. A kanë marrë prona aty Ergys Agasi dhe Engjëll Agaçi? Dhe jo vetëm këta… le të na shpjegojë rolin e dy oligarkëve kryesorë që nuk kanë lënë port, aeroport apo bregdet pa zaptuar me firmën e tij,” deklaroi Bardhi. Versus.al

