Këtë të shtunë në orën 11:00 do të zhvillohet një mbledhje e zgjeruar mes qeverisë dhe grupit parlamentar socialist, një takim që pritet të shërbejë si forum koordinimi politik dhe institucional për javët dhe muajt në vijim.
Mbledhja do të mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe në qendër të saj pritet të jenë çështje të rëndësishme si Kadastra dhe Reforma Territoriale, ndërsa pjesë e diskutimeve do të jenë edhe nisma të rëndësishme ligjore dhe sfidat parlamentare të periudhës së ardhshme.
Në këtë takim do të marrin pjesë deputetët socialistë, ministrat e kabinetit qeveritar, si dhe disa drejtues institucionesh shtetërore, duke e kthyer mbledhjen në një takim të gjerë koordinimi mes qeverisë dhe shumicës parlamentare.
Sipas agjendës, mbledhja do të hapet me fjalën e kreut të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, i cili pritet të paraqesë prioritetet dhe sfidat kryesore në Kuvend. Më pas do të marrë fjalën kryeministri Edi Rama, i cili pritet të japë orientime politike dhe të ndalet te reformat dhe projektligjet kryesore që pritet të diskutohen dhe miratohen.
Gjatë mbledhjes do të raportojë edhe drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ndërsa për Reformën Territoriale do të flasë Arbjan Mazniku, i cili pritet të paraqesë ecurinë dhe hapat e mëtejshëm të kësaj reforme. Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.
Në fokus të mbledhjes pritet të jenë edhe disa nisma të rëndësishme ligjore, përfshirë Kodin e ri Penal dhe ligjin për referendumin, i cili pritet të depozitohet së shpejti në Kuvend. Gjithashtu, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe reformës territoriale, si një nga reformat më të rëndësishme jozgjedhore.
Kjo është mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë dhe grupit parlamentar pas Asamblesë Kombëtare Socialiste të zhvilluar një javë më parë në Durrës, ku u njoftuan edhe ndryshime në drejtuesit politikë të disa qarqeve në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Mbledhja pritet të mbyllet me konkluzione dhe me përcaktimin e hapave konkretë për përballimin e sfidave parlamentare dhe avancimin e reformave kryesore në periudhën në vijim. / VERSUS

