POLITIKË /

Rama: Të ardhurat buxhetore në nivel historik, priten mbi 1 miliard euro shtesë

Rama deklaron rritje historike të të ardhurave buxhetore dhe parashikon mbi 1 miliard euro shtesë, duke theksuar se rritja vjen nga ekonomia dhe përmirësimi i administrimit tatimor, jo nga taksat.

Shkruar nga Versus
Rama: Të ardhurat buxhetore në nivel historik, priten mbi 1 miliard
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria po shënon një rritje historike të të ardhurave buxhetore, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të forcimit të ekonomisë.

Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se sipas projeksioneve, gjatë kësaj periudhe pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit.

Ai theksoi se kjo rritje nuk vjen si rezultat i rritjes së taksave, por si pasojë e zgjerimit të ekonomisë dhe përmirësimit të administrimit tatimor dhe doganor.

Sipas kreut të qeverisë, nivelet e reja të të ardhurave janë reflektim i një administrimi më efikas dhe i uljes së korrupsionit dhe abuzimeve, duke shtuar se këto të fundit nuk mund të bashkëjetojnë me një ekonomi në rritje.

Rama nënvizoi gjithashtu se përmirësimi i kontrollit mbi transaksionet, si dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal, kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë performancë pozitive të të ardhurave.

Në përfundim, ai e cilësoi këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm që, sipas tij, dëshmon efektin e politikave ekonomike dhe besimin e qytetarëve te qeveria.

“Kjo javë është karakterizuar edhe nga një tjetër bilanc inkurajues: rritja e të ardhurave buxhetore në një nivel absolutisht historik. Një tregues i rëndësishëm i fazës ku ndodhet sot ekonomia shqiptare, një pasqyrë kuptimplotë e fuqizimit të saj. Në të kundërt të gjithë atyre që predikojnë rritjen e korrupsionit dhe rritjen e abuzimit, ekonomia provon se rritet pikërisht sepse ulet korrupsioni dhe ulen abuzimet, sepse këto të dyja bashkë nuk shkojnë përndryshe.

Të ardhurat që kanë arritur në nivele të reja janë pikërisht rezultat i një administrimi shumë më efikas, me shumë më pak korrupsion dhe abuzim, një karakteristikë e sëmundjes së rëndë të trashëguar nga e shkuara, të cilën e kemi luftuar dhe do të vazhdojmë ta luftojmë ditë për ditë.

Sipas projeksioneve, në periudhën që kalojmë pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, dhe jo nga rritja e taksave, sepse nuk kemi bërë rritje të taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe, patjetër, edhe nga rritja e cilësisë së administrimit tatimor dhe doganor, rritja e cilësisë së kontrollit për sa i përket transaksioneve në nivelin e biznesit, mes biznesit dhe konsumatorit dhe biznesit me biznesin, si dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal. Jemi në kushtet kur mund të ndajmë me ata që na kanë mbështetur dhe na kanë zgjedhur këtë moment të rëndësishëm, duke u thënë se vota e tyre vlen dhe vlerësohet çdo ditë, në çdo hap, në çdo sektor, dhe ky i rritjes së të ardhurave është një shembull shumë kuptimplotë”, tha mes të tjerash Rama./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll