Qytetarë të shumtë u mblodhën edhe këtë të diel në protestën kundër projektit për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, duke shënuar ditën e tetë radhazi të mobilizimit qytetar.
Me pankarta dhe thirrje kundër klasës politike, protestuesit marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë.
Megjithëse shkak për nisjen e protestave ishte kundërshtimi i projektit në Zvërnec, tubimet janë shndërruar në një platformë më të gjerë pakënaqësish, ku qytetarët kanë ngritur shqetësime për emigracionin, gjendjen e arsimit, shëndetësisë, sistemin e drejtësisë dhe çështjet e pronësisë.
Një nga simbolikat e protestës ishte vendosja e një gomoneje para Kryeministrisë, si mesazh kundër emigrimit masiv. Protestuesit theksuan se largimi nga vendi nuk duhet të konsiderohet zgjidhje për problemet me të cilat përballen shqiptarët.
Në tubim morën fjalën edhe emigrantë të kthyer nga vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Italinë. Ata folën për fenomenin e largimit të të rinjve, duke kërkuar më shumë mundësi dhe ndryshime konkrete në vend.
Gjatë protestës u artikuluan edhe një sërë kërkesash drejtuar institucioneve, mes të cilave dorëheqja e qeverisë, shfuqizimi i statusit të investitorit strategjik, anulimi i Paketës së Maleve, si dhe rishikimi i ndryshimeve ligjore që lidhen me zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke theksuar se do të vazhdojnë presionin qytetar deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
/Versus.al

