
Një debat i fortë është regjistruar në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale mes deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, dhe kryebashkiakut të Gramshit, Beison Ajazi, i cili ishte i ftuar në një seancë dëgjimore.
Përplasja nisi pasi Ajazi i ndërpreu fjalën deputetes demokrate teksa ajo po komentonte protestat dhe situatën e pushtetit vendor në vend. Zhupa reagoi menjëherë, duke i kërkuar kryebashkiakut të mos ndërhynte në fjalën e saj.
“Të nderuar kolegë, nuk kam ndërmend as t’ju kërkoj çfarë do flas, as t’ju pëlqej për atë që po flas. Ju mund të prisni. Mungesa e durimit reflektohet në atë sheshin të mbushur me qytetarë. Keni një pushtet vendor që sot nuk ka zë. Vetë po t’i pyesësh, ata të thonë që nuk e kanë idenë se çfarë planesh kanë mbi bashkinë e tyre. Po ti do vendosësh se çfarë është procedura… rri aty, mbaj vendin si i ftuar”, u shpreh Zhupa.
Debati vijoi me ndërhyrjen e bashkëkryetarit të komisionit, Arbjan Mazniku, i cili mbrojti kryebashkiakun e Gramshit dhe kritikoi tonin e përdorur nga deputetja e opozitës.
“Mos i thuaj asnjë të zgjedhuri nga qytetarët ‘rri e mbaj vendin’. Ai atje ka marrë më shumë vota se ty”, iu përgjigj Mazniku.
Përplasja verbale mes palëve ishte një nga momentet më të nxehta të mbledhjes së Komisionit të Reformës Territoriale, ku debatet për reformën dhe funksionimin e pushtetit vendor vijojnë të shoqërohen me tensione politike mes mazhorancës dhe opozitës.Versus.al

