POLITIKË /

Rama ndan shkrimin e zyrtarit të AAK: Protesta pa destinacion, protestuesit kanë nostalgji për Shqipërinë e varfër

Shkruar nga Versus
Rama ndan shkrimin e zyrtarit të AAK: Protesta pa destinacion, protestuesit
Labinot Bislimi, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me reagimet e tij në rrjetet sociale lidhur me protestat masive që zhvillohen prej ditësh në Tiranë, diasporë e rrethe të ndryshme të vendit. Këtë herë, duke shpërndarë një shkrim të anëtarit të kryesisë për Ardhmërinë e Kosovës, Labinot Bislimi, Rama kërkoi të paraqesë një tjetër pikëpamje për protestën.

Në shkrimin e tij, Bislimi shkruan se protesta më shumë se një revoltë duket si shpërthim dashurie e shqiptarëve dhe një nostalgji për Shqipërinë e varfër. Duke e konsideruar protestën si diçka pa destinacion, Bislimi thotë në sugjerimet e tij se Shqipëria duhet të ecë drejt horizonteve të reja.

Postimi i Ramës:

Labinot Bislimin nuk e kam takuar kurrë, por nuk ndenja dot pa e ndarë me ju këtë postim të tijin të para dhjetë ditëve, duke falenderuar mikun e përbashkët që ma çoi sot, më mirë vonë se kurrë:-)

????????

VENDI I FLAMINGOVE APO VENDI I SHQIPONJAVE

A e dini se fjala Shqipëri do të thotë vendi i shqiponjave? Kështu na quajnë shpesh edhe gazetat e huaja. Por nganjëherë pyes veten: a jemi vërtet të tillë?

Këto ditë po i përcjell me vëmendje ngjarjet në Tiranë.

Më duket një protestë e bukur, kreative dhe jashtëzakonisht paqësore.

Madje, më jep përshtypjen se populli shqiptar kishte nevojë të takohej me vetveten. Të bënte xhiro bashkë. Të fliste me njëri-tjetrin si kurrë më parë. Më shumë se një revoltë, duket si një shpërthim dashurie. Një mënyrë për t’i thënë Shqipërisë: “Të duam.”

Por çfarë dashurie është kjo?

Mendoj se është dashuria e atyre që e ndjejnë se Shqipëria po ndryshon aq shpejt, sa po u ikën nga duart. Një nostalgji për Shqipërinë e varfër, të virgjër dhe ende të pashkelur nga ritmet e globalizimit dhe turizmit masiv.

Është nostalgjia për “bukë, kripë e zemër”. Për lagjet e vjetra të Tiranës ku fëmijët luanin në rrugë e në oborret e njëri-tjetrit. Për një lumturi të thjeshtë, që shpesh e gjenim në varfëri dhe që sot duket sikur humbet në konturet e një ekonomie të re, ku njeriu nuk ecën më, por vrapon.

Vrapon sepse është në garë me komshiun. Me shokun. Me gjeneratat e tjera. Me vetveten.

Në këtë Shqipëri të re, askush nuk ka dorë mbi të, por të gjithë duan ta kontrollojnë. Të gjithë duan ta kenë sipas vizionit të tyre.

E duan për vete ideologët e së majtës dhe të së djathtës. Liberalët dhe konservatorët. Nacionalistët dhe globalistët. Pro-amerikanët dhe anti-amerikanët. Fetarët dhe laikët. Të gjithë e duan Shqipërinë, por secili sipas pasqyrës së vet.

Problemi është se shumë prej tyre nuk e duan me njëri-tjetrin.

Dhe pikërisht këtu fillon konflikti me zhvillimin.

Sepse zhvillimi ekonomik e nxjerr shoqërinë nga zona e komfortit. E detyron të ndryshojë. E detyron të pranojë ritme të reja, njerëz të rinj, ide të reja dhe konkurrencë të re.

Flamingot nuk janë arsyeja e vërtetë e protestës. Ato janë simboli.

Simboli i një rehatie të vjetër, i një stagnimi të njohur dhe të kuptueshëm. Një dëshirë për të qëndruar herë në njërën këmbë e herë në tjetrën, pa marrë hov drejt së panjohurës.

Shqiponja është ndryshe.

Ajo nuk rri pranë ujit duke shijuar qetësinë. Nuk pret që bota t’i vijë afër. Fluturon lart. Kërkon larg. Rrezikon. Del për gjah.

Flamingoja kërkon rehati. Shqiponja kërkon horizont.

Prandaj nuk besoj se kjo protestë ka të bëjë me Edi Ramën. As me urrejtjen. As me bukën e gojës. As me shumicën e parullave që mbahen në duar.

Ato janë vetëm forma të ndryshme për të shprehur të njëjtin shqetësim:

“Nuk po e durojmë dot shpejtësinë e ndryshimit. Duam ta kontrollojmë atë.”

Por kush do ta kontrollojë?

Ata që e kanë zëvendësuar dijen me teoritë e Facebook-ut?

Ata që flasin për zhvillimin pa e kuptuar zhvillimin?

Ata që e shohin të ardhmen si një rikthim në të kaluarën?

Ata që jetojnë jashtë Shqipërisë, nuk duan të kthehen kurrë, por e duan vendin vetëm si kujtim të varfërisë nga e cila ikën?

Ata që e duan Shqipërinë përmes Palestinës ose e urrejnë përmes Izraelit?

Ata që e duan Shqipërinë përmes Greqisë, Turqisë apo Serbisë, por jo përmes vetë Shqipërisë?

Në fund, e gjithë kjo të ngjan me një protestë me shumë parulla, me shumë kërkesa kundërthënëse, me shumë nevoja për vëmendje dhe me shumë dëshirë për t’u takuar me njëri-tjetrin, por me pak qartësi rreth destinacionit.

Dhe kjo është arsyeja pse më duket më shumë një protestë e flamingove sesa e shqiponjave.

Flamingot mund të qëndrojnë gjatë herë në njërën këmbë e herë në tjetrën.

Por vendi i shqiponjave nuk ka kohë për të humbur.

Duhet të fluturojë. Duhet të kërkojë horizonte të reja. Duhet ta kalojë tranzicionin e vet ekonomik dhe historik.

Për shqiponjat duhet të flasim tani.

Për flamingot do të kemi kohë më vonë. Versus.al

Poll