POLITIKË /

Sali Berisha zbulon datën e protestës së radhës së PD-së: Të gjithë para parlamentit!

Berisha njofton datën e protestës së radhës së PD-së më 12 mars para Parlamentit, duke siguruar se tubimet janë paqësore, pavarësisht tensioneve dhe incidentëve gjatë protestave të mëparshme.

Shkruar nga Versus
Sali Berisha zbulon datën e protestës së radhës së
Sali Berisha në Foltoren e Durrësit

Nga foltorja e mbajtur sot në Durrës, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri me dije datën e protestës së radhës të demokratëve, e cila do të zhvillohet më 12 mars para Parlamentit.

“Sot është koha e protestës, të gjithë në protestë në datën 12 mars. Të gjithë tek parlamenti,” u shpreh Berisha, duke ftuar anëtarët dhe simpatizantët e partisë të marrin pjesë masivisht.

Kujtojmë se protesta e fundit e PD-së, më 28 shkurt, u përshkua nga tensione, pasi sulmet me molotov drejt vilës së Enver Hoxhës rrezikuan qytetarët, duke plagosur dy turistë që ndodheshin brenda ndërtesës.

Në lidhje me këtë ngjarje, Berisha u shfajësua, duke deklaruar se nuk ka qenë i informuar se ndërtesa ishte transformuar në një ambient të hapur kulturor.

Lideri demokrat përsëriti se tubimet e PD-së janë gjithmonë paqësore dhe se demokratët nuk kryejnë sulme, pavarësisht se gjatë protestave të mëparshme janë raportuar dhjetra persona të lënduar, mes tyre efektivë policie dhe gazetarë./Versus.al

 

Poll