POLITIKË /

“S’duan të na lejojnë në oborrin e Kuvendit”, Asociacioni i Gazetarëve: Qeveria, plan për kufizimin e mediave

Në reagimin zyrtar të Asociacionit bëhet me dije se qeveria po planifikon të kufizojë mediat në Kuvend në mënyrë që deputetëve e ministrave të mos u kërkohet llogari për punën e tyre.

Shkruar nga Versus

“S’duan të na lejojnë në oborrin e Kuvendit”,

Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë ka pretenduar sot se është informuar lidhur me një plan të qeverisë socialiste për të kufizuar gazetarët dhe mediat në Kuvendin e Shqipërisë. Mësohet se janë diskutuar plane për të mos lejuar gazetarët në oborrin e Kuvendit.

Në reagimin e bërë nga Asociacioni i Gazetarëve thuhet se me këtë plan qeveria kërkon të heqë përfundimisht mundësinë që gazetarët të kenë kontakte me deputetët dhe ministrat të cilët duhet të japin llogari për punën e tyre.

Reagimi i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është informuar për një plan të mazhorancës socialiste në Kuvend për të kufizuar gazetarët dhe mediat.

Planet e diskutuara së fundmi, për të mos lejuar kamerat brenda sallës së seancave plenare dhe për të kufizuar aksesin e gazetarëve në oborrin e Parlamentit, u heqin përfundimisht mundësinë gazetarëve për të pasur kontakte direkte me deputetët dhe ministrat, të cilët duhet të japin llogari për punën e tyre.

AGSH i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të mos avancojnë me këto plane, të cilat dëmtojnë rëndë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t'u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar.

AGSH i bën thirrje opozitës në Parlament që të përdorë të gjitha instrumentet për të mos lejuar një kufizim të tillë.

AGSH do të informojë menjëherë partnerët ndërkombëtarë për këtë përpjekje kufizuese të lirisë së medias. AGSH i bën thirrje gjithashtu të gjitha redaksive mediatike që të ushtrojnë ndikimin e tyre për të mos lejuar realizimin e këtij plani.

Oborri i Parlamentit dhe salla e tij janë "ishulli" i fundit që u ka mbetur mediave për të bërë pyetje dhe për të xhiruar pa regji. Versus.al

Poll