
Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se bashkitë do të përfshihen si përfituese në procesin e ankandeve ndërkombëtare për energjinë e rinovueshme.
Sipas Ballukut, autoritetet vendore janë të angazhuara në identifikimin e tokave që nuk janë të përshtatshme për bujqësi apo zhvillim urban, të cilat do të vihen në dispozicion për zhvillimin e projekteve energjetike.
Ky model do t'u japë bashkive një rol aksioner në projektet përkatëse, duke sjellë më shumë përfitime për komunitetin lokal dhe duke kontribuar në synimin kombëtar për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë deri në vitin 2030.
“Bashkitë mund të përfitojnë nga ankandet e energjisë së rinovueshme. Kemi kërkuar nga pushteti vendor, identifikimin e tokave të pafrytshme për bujqësi dhe të papërdorshme për zhvillime urbanistike, të cilat do të vendosen në dispozicion për zhvillimin e ankandeve ndërkombëtare të energjisë së rinovueshme. Bashkitë do të jenë aksionere në këtë proces. Më shumë përfitime për qytetarët. Shqipëria, eksportues neto i energjisë brenda vitit 2030”, ka shkruar zëvendëskryeministrja Balluku./Versus.al







