Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka vijuar këtë të shtunë turin e takimeve me demokratët, duke u ndalur në Kurbin, ku zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët dhe strukturat lokale të Partisë Demokratike.
Gjatë takimit, një prej të pranishmëve ngriti çështjen e figurave të konsumuara brenda PD-së, duke sugjeruar se duhet t’i hapet më shumë hapësirë brezit të ri.
“Shumë figura të PD-së që kanë qenë jashtëzakonisht politikanë të shquar, janë konsumuar dhe duhet t’i hapin krahun të rinjve. Dikush mund të thotë që është konsumuar edhe dr. Berisha, por ai është playmaker i PD-së. Kanë dështuar shumë udhëheqës botërorë, ndërsa doktori i ka qëndruar kohës,” tha qytetari.
Në përgjigjen e tij, Berisha u ndal te procesi i ripërtëritjes së Partisë Demokratike, duke deklaruar se ai është një proces i pandalshëm brenda forcës politike që drejton.
“Ju garantoj që PD-ja është një parti që ka ripërtërirë dhe do ripërtërijë veten si kusht vendimtar për të përmbushur misionin e vet. Krahas kësaj përpjekjeje, jemi në një analizë që nuk e ndërpresim. Analizën do e bëjmë dhe secili demokrat është i ftuar të japë sugjerime dhe kritika. Përsëri do jeni ju, me votën tuaj, që do zgjidhni njerëzit që doni,” tha Berisha.
Ai theksoi se votën e sheh si simbol të lirisë politike, duke shtuar: “Vota është liri dhe ne nuk i ndahemi kësaj”./Versus.al

