POLITIKË /

Takimi i Ramës me ambasadoren amerikane të Greqisë, media greke: Kompania greko-amerikane 1 mld € investim në minierën e Bilishtit

Shkruar nga Versus

Takimi i Ramës me ambasadoren amerikane të Greqisë, media greke:

Ditë më parë Kimberly Guilfoyle, ambasadorja amerikane në Athinë ishte në Tiranë ku u prit nga kryeministri Edi Rama në zyrën e tij. Ky takim shtoi kureshtjen lidhur me diskutimet në takimin që nuk u pasqyrua në rrjetet sociale të kryeministrit. Vetë Rama në një konferencë për mediat deklaroi se takimi mes tyre ishte zhvilluar për të biseduar lidhur me interesat amerikane në rajon.

“Ambasadorja erdhi për të bërë një takim njohjeje, për të diskutuar disa çështje të interesit të lartë amerikan në rajon, që kanë të bëjnë me energjinë, bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj forcave të treta. Ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese e njohur në politikën amerikane”, tha Rama, gjatë një konference për shtyp.

Mirëpo, media e njohur greke, Kathimerini ka zbuluar më shumë detaje rreth atij takimi duke shkruar se bëhet fjalë për një investime greko-amerikan në fushën e minierave në Shqipëri. Grupi i biznesit AKTOR, ka njoftuar zyrtarisht hyrjen në sektorin minerar të Shqipërisë. 

“Marrëveshja kuadër e nënshkruar me BNI Foundation ka të bëjë me bashkëpunimin ekskluziv për kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare kritike në vendin fqinj, konkretisht të nikelit dhe kobaltit. Burime shpjegojnë se ky zhvillim vendos de facto një kompani greke në qendër të përpjekjeve evropiane dhe amerikane për sigurimin e lëndëve të para kritike, veçanërisht atyre të nevojshme për prodhimin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike”- thuhet në artikullin e medias greke.

Projekti pritet të zbatohet në zonën e Bilishtit. Marrëveshja parashikon krijimin e një kompanie të re të përbashkët (Joint Venture) sipas legjislacionit shqiptar. Në këtë kompani, grupi AKTOR do të marrë pjesë përmes filialit të tij të sapokrijuar, AKTOR Metal, me 51%, ndërsa BNI Foundation do të zotërojë 49% përmes filialeve të saj. BNI Foundation është pjesë e një organizate më të gjerë me aktivitet të diversifikuar në fusha si energjia, shëndetësia dhe turizmi në Evropën Juglindore. Ajo do të kontribuojë në këtë bashkëpunim me të drejtat e shfrytëzimit dhe licencat që tashmë zotëron për projektet përkatëse minerare.

“Vlera e investimit, në fazën e zhvillimit të plotë, vlerësohet të arrijë në 1 miliard euro. Me rëndësi të veçantë konsiderohet fakti që financimi do të mbështetet në një masë të madhe në kapital amerikan, ndërsa projekti do të ketë mbështetje teknike dhe këshilluese nga kompani me seli në SHBA. Kjo përfshirje e faktorëve amerikanë nënvizon rëndësinë e projektit për zinxhirin furnizues perëndimor dhe shpjegon edhe përfshirjen e AKTOR-it, i cili tashmë ka zhvilluar marrëdhënie tregtare me kompani dhe institucione amerikane, për shembull në tregtinë e gazit natyror të lëngshëm amerikan. Interesi investues i kësaj sipërmarrjeje greko-amerikane fokusohet në zonën e Bilishtit në Shqipëri”- shkruhet më tej në median greke.

Ndërkohë nga ana e qeverisë shqiptare nuk ka ende detaje lidhur me këtë pretendim të mediave greke apo detaj mbi takimin e Ramës me ambasadoren e SHBA në Athinë e cila njihet edhe si person shumë i afërt me presidentin amerikan Donald Trump. Versus.al

Poll