Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e dialogut strategjik, si pasojë e veprimeve të Qeverisë në detyrë. Osmani ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë për këtë mekanizëm me rëndësi të bashkëpunimit me aleatin kryesor të Kosovës.
Ajo ka paralajmëruar se do të angazhohet që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse, siç tha ajo, “partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes.”
Presidenca ka përmendur se dialogu strategjik u iniciua nga Osmani në vitin 2021, përmes një propozimi të adresuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i Presidentes u rikonfirmua në qershor 2022, me anë të notës verbale dhe gjatë takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, në korrik të po atij viti.







