
Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në rregulloren për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacioneve të plazhit, duke vendosur rregulla të reja për bizneset dhe subjektet që operojnë në vijën bregdetare.
Sipas vendimit të firmosur nga kryeministri Edi Rama, përjashtimisht për sezonin turistik 2026, kontratat e qirasë për përdorimin e hapësirave të plazhit do të lidhen brenda muajit qershor.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që çdo modifikim i kontratave ekzistuese, në rast ndryshimi të kapaciteteve akomoduese apo zonave bregdetare, të bëhet vetëm me dakordësinë e të dyja palëve dhe të formalizohet me nënshkrim.
Zbatimi i vendimit i është ngarkuar Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, ndërsa akti hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
V E N D I M
PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.649, DATË 16.10.2024, KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në rregulloren bashkëlidhur vendimit nr.649, datë 16.10.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit””, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 5, të nenit 14, shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Përjashtimisht, për vitin 2026, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, të parashikuar në pikën 5, të nenit 4, të kësaj rregulloreje, do të jetë brenda muajit qershor.”.
b) Në nenin 5 të shtojcës I, “Kontrata model për përdorimin e hapësirës së plazhit”, që i bashkëlidhet rregullores, shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:
“3. Dhënësi, në bashkëpunim me njësinë e vetëqeverisjes vendore, mund të propozojë amendime në këtë kontratë, në rastet e ndryshimeve në kapacitetin e strukturës akomoduese, zonës së plazhit apo zhvillimeve në zonën bregujore, vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.
4. Për kontratat ekzistuese të lidhura për përdorimin e hapësirës së plazhit, ndryshimet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, kryhen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, nëpërmjet nënshkrimit të amendimit të kontratës.”.
2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


