Në qarkun e Dibrës, ku numërimi i votave vijon, kandidati i Partisë Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Xhelal Mziu, ka deklaruar se partia që ai përfaqëson nuk pritet të sigurojë mandatin e tretë në këtë qark. Deri më tani, rezultatet paraprake tregojnë se Partia Socialiste është në avantazh me 3 mandate, ndërsa PD-ASHM ka siguruar 2 mandate.
Në një deklaratë për mediat, Mziu theksoi:
“Ne kemi qenë të përgatitur për rezultatin që do të merrnim, por flas për kushte normale. Jemi përplasur me makina të pafundme në lagje, po rrezikohet vota e qytetarëve. Tentojmë për të kapur mandatin e tretë, por më duket i paarritshëm.”
Deklarata e tij sugjeron shqetësime për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në terren, ndërsa nënvizon vështirësitë që PD ka hasur për të ruajtur apo përmirësuar pozitat në Dibër – një qark ku tradicionalisht ka pasur rivalitet të fortë me Partinë Socialiste. /Versus.al/







