Gjatë festimeve për ndërrimin e viteve, si pasojë e përdorimit të fishekzjarrëve, në rang vendi janë regjistruar 20 shtetas të lënduar, fatmirësisht pa rrezik për jetën. Mes tyre është edhe një e mitur 13-vjeçare, e cila ka pësuar gërvishtje në parakrah dhe dyshohet se është dëmtuar nga një plumb qorr, në zonën e Vaqarrit.
Sipas të dhënave zyrtare deri në orën 01:30 të datës 01.01.2026, rastet janë shpërndarë si më poshtë: 16 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Fushë-Arrëz dhe 1 në Korçë. Të gjithë të dëmtuarit kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin kanë qenë dhe vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, duke monitoruar qarkullimin rrugor, ambientet ku zhvillohen festime dhe gjithë territorin, me qëllim parandalimin e ngjarjeve dhe garantimin e rendit e sigurisë publike.
Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e DVP Tiranë, zhvilloi një takim me shërbimet e Policisë Rrugore të planifikuara në shërbim gjatë natës së ndërrimit të viteve, si dhe inspektoi Sallën e Komandimit të DVP Tiranë.
Proda uroi punonjësit e Policisë për Vitin e Ri, duke i falënderuar për përkushtimin dhe sakrificën në shërbim të sigurisë së qytetarëve. Ai theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit, duke nënvizuar se çdo kontroll synon shpëtimin e jetëve.
Gjithashtu, ai kërkoi profesionalizëm, korrektësi, komunikim etik dhe kujdes maksimal, si për qytetarët ashtu edhe për vetë punonjësit e Policisë. Gjatë inspektimit në Sallën e Komandimit, Proda vlerësoi rolin kyç të kësaj strukture, duke theksuar se çdo telefonatë dhe informacion duhet të trajtohet me seriozitet maksimal, pasi reagimi në kohë dhe koordinimi me patrullat në terren janë vendimtarë për parandalimin e ngjarjeve. /VERSUS

