Një vajze 24-vjeçareje i është rrezikuar jeta nga pickimi i gjarprit, pasi në spitalet e vendit duket se nuk ka gjendje antidot kundër helmimit nga gjarpri.
E reja, e cila jeton në Frashër të Përmetit, u pickua nga një gjarpër. Familjarët lajmëruan menjëherë ambulancën, ndërsa i injektuan ultrakorten. Teksa u shoqërua me urgjencë në spitalin e Përmetit, spitali nuk dispononte antidot kundër helmimit.
Më pas 24-vjeçarja u dërgua në spitalin e Gjirokastrës, por dhe atje spitali nuk kishte mjekimin, duke rrezikuar kështu seriozisht jetën e vajzës.
Ajo është dërguar tashmë në spitalin e Traumës në kryeqytet ku dhe mori mjekimin e duhur ndërsa e reja rrezikonte që t’i pritej këmba me qëllim që të jetonte.
Në këtë sezon veror, rastet nga pickimi i gjarprit janë shtuar me ritme të shpejta, ndërsa në spitalet e qyteteve të Shqipërisë nuk disponojnë mjekimet e duhura, duke vënë në rrezik serioz jetën e qytetarëve.







