
Një shkëndijë elektrike shkaktoi zjarrin e madh në tregun e rrobave të përdorura pranë ish-Uzinës Dinamo ku u shkrumbuan mbi 50 magazina të tregtarëve. Sipas policisë, shkaku i zjarrit ka qenë aksidental, ndërsa prokuroria po vijon me hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
"Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme"- njofton policia.
Tregtarët të cilët panë me sytë e tyre mallin teksa u shkrumbohej dhe flakët nuk shuheshin në kohë, thanë se dëmi i shkaktuar shkon deri në miliona euro. Shumë prej tyre hodhën dyshimet se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm dhe se mund të ketë një plan që aty të ndërtohen pallate nga biznesmenë të ndryshëm. Versus.al

