
Familja e Eglant Koçit, i cili dyshohet se është vrarë nga miku i tij Armand Shakaj, ka reaguar pas gjashtë ditësh kërkime intensive pa rezultat për gjetjen e trupit të 34-vjeçarit.
Në një lidhje telefonike për emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, vëllai i Eglantit u shpreh i tronditur nga zhvillimet e fundit të hetimeve, duke deklaruar se e ka të vështirë të besojë se personi i dyshuar mund të jetë autori i ngjarjes.
“Nuk dua ta besoj se ai është autori”, tha ai gjatë intervistës, duke theksuar se marrëdhëniet mes familjes së tij dhe Armand Shakajt kanë qenë të afërta prej vitesh.
“Ai djali mamit tim i thotë ‘o nënë’. Mamaja ime ka punuar pastruese te lokali i atij”, rrëfeu vëllai i 34-vjeçarit.
I pyetur nëse mes Eglantit dhe personit të shpallur në kërkim kishte pasur konflikte, ai e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
“Dy ditë para ishte me ne aty ai. Çfarë konflikti? E ka ftuar për të pirë kafe te lokali i vet dhe nuk e di pastaj”, u shpreh ai.
Sipas familjarit, asnjëherë nuk ka pasur indicie për mosmarrëveshje apo probleme mes dy të rinjve. Ai mohoi gjithashtu që familja të kishte dijeni për shuma të mëdha parash apo përfshirje në aktivitet me kriptovaluta, pistë e cila po verifikohet nga grupi hetimor.
“Jo, çfarë thua. Jetojmë katër veta në një dhomë e një banjo. Vëllai ka punuar në magazinë dhe fitonte 20-30 mijë lekë”, deklaroi ai.
Sipas të dhënave të policisë, Eglant Koçi rezulton i zhdukur që prej datës 4 qershor. Hetimet kanë çuar në identifikimin e një personi të dyshuar si autor i mundshëm i ngjarjes, ndërsa një 25-vjeçar është arrestuar për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit.
Ndërkohë, autoritetet kanë sekuestruar automjete dhe prova të tjera materiale që po analizohen nga ekspertët. Burime policore bëjnë me dije se Koçi është parë për herë të fundit më 4 qershor, ndërsa kërkimet për gjetjen e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.Versus.al

