AKTUALITET /

Kapen 2.000 koli me pije freskuese dhe 600 kuti me salcë kontrabandë nga Maqedonia, arrestohet shoferi dhe shpallet në kërkim vëllai i tij

Në aksin rrugor Maqellarë–Bulqizë, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi E. H. Gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz”, furgon, u gjetën 762 koli me pije freskuese pa faturë shoqëruese

Shkruar nga Versus

Kapen 2.000 koli me pije freskuese dhe 600 kuti me salcë kontrabandë

Policia e Dibrës ka arrestuar një 38 vjeçar ndërsa vëllai i tij është shpallur në kërkim, për kontrabandimin e dyshuar të mallrave nga Maqedonia e Veriut.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë së Shtetit, janë proceduar penalisht edhe 3 doganierë të PKK Bllatë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër në bashkëpunim të ngushtë me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin policor të koduar “Dërgesa”.

Në aksin rrugor Maqellarë–Bulqizë, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi E. H. Gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz”, furgon, u gjetën 762 koli me pije freskuese pa faturë shoqëruese.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve në ambientet e banesës dhe në një automjet tjetër tip "Volksëagen", u gjetën 1296 koli me pije freskuese dhe 638 kuti me produkte ushqimore (salcë).

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 38 vjeç, banues në fshatin Pocest, Maqellarë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, ndërsa u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi L. H.

Nga hetimet paraprake dyshohet se dy vëllezërit kanë futur në territorin e Republikës së Shqipërisë mallrat e sipërpërmendura në mënyrë të kundërligjshme, duke shmangur procedurat e kontrollit dhe deklarimit doganor.

Në vijim të veprimeve, nisi procedimi penal për veprën “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasit B. C., 43 vjeç; Sh. K., 60 vjeç; dhe F. M., 48 vjeç, të tre me detyrë doganierë në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Poll