AKTUALITET /

"E nisa për një ditë, por më ka lënë pa punë", njëri prej organizatorëve të protestës: Duhet qeveri tranzitore

Shkruar nga Versus

"E nisa për një ditë, por më ka lënë pa

Ndërkohë që sot pritet të jetë dita e 11-të e protestës masive të nisur më 31 maj, shumë pak persona e dinë se që prej ditës së parë të saj, mes organizatorëve është Alben Kola, i cili punon si guidë turistike për vizitorët e huaj.

Për TCH, ai u shpreh se protestën e kishte nisur me idenë se do të ishte vetëm një ditë, por tanimë e ka lënë edhe pa punë për shkak të angazhimit të tij për të vijuar me atë që protestuesit e quajnë “revolucioni i flamingove”.

“Unë u bashkova për një natë. Ngela dhe pa punë, i kam lënë edhe turistët rrugëve me një kolegen time që është në Maqedoni sot me një grup amerikan”, tregon Albeni.

Megjithatë shtoi se nuk pendohet kurrsesi për diçka të tillë dhe se rëndësi për të ka “çlirimi i Shqipërisë” nga kasta e vjetër politike.

“Shqipëria e para. Nëse Shqipëria çlirohet, unë do isha njeriu më i lumtur që të arrija të jetoja kohën me fëmijët e mi, me nusen time dhe të jetoja jetën i lirë siç i ka hije çdo qytetari të lirë në Europën Perëndimore”, vijon më tej guida turistike në krye të protestës.

Duke qenë i vetëdijshëm se rezultatet e kësaj proteste do të vonojnë, ai foli edhe për mundësinë që nga kjo lëvizje të ketë një forcë politike, por këtë gjë ia la në dorë popullit shqiptar.

Sot në orën 18:00 është paralajmëruar një tjetër tubim dhe për këtë thotë se do të ketë një pjesëmarrje akoma më të madhe falë emigrantëve që kanë ardhur në Shqipëri dhe për faktin se shënohet përvjetori i Lidhjes së Prizrenit.

“Mërgata ka 2-3 ditë që ka ardhur, por pritet të vijë sot në 148 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit të ketë një dyfishim. Pastaj është në dorë të popullit”- u shpreh Kola duke shtuar se duhet një qeveri tranzitore për vendin. Versus.al

Poll