Trafikantët e drogës që mbollën parcela me kanabis në Reçin e ri, në Velipojë, kishin ndërtuar në zonë dhe kampe ku kultivuesit e kanabisit flinin natën dhe monitoronin parcelat.
Pamjet e siguruara nga InfoNews në vendin ku policia gjeti plot 7.446 bimë narkotike të kultivuara në një zonë fushore, tregojnë qartazi se terreni ishte në një zonë lehtësisht të verifikueshme, çka ka ngritur dyshime të forta mbi mungesën e kontrollit dhe monitorimit nga strukturat përgjegjëse.
Fotot tregojnë qartë bimët e kanabisit të rritura në sipërfaqe të mëdha, ndërsa në terren dallohen edhe kampet e improvizuara që dyshohet se ishin ngritur nga trafikantët dhe kultivuesit e drogës për të monitoruar dhe ruajtur parcelat.
Zbulimi i kësaj sasie të konsiderueshme të kanabisit ka sjellë reagim të menjëhershëm në radhët e Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra shefin e Komisariatit të Shkodrës, Bekim Lika, shefin e Stacionit të Policisë Velipojë, Zef Marku, si dhe inspektorin Samet Kadroji.
Ndaj tyre është nisur hetim i thelluar disiplinor, ndërsa në verifikim janë përfshirë edhe dy punonjës të tjerë policie që kishin përgjegjësi për kontrollin e territorit ku u konstatuan parcelat me drogë.
Sipas të dhënave paraprake, bimët narkotike ishin kultivuar në një zonë lehtësisht të verifikueshme, çka ka ngritur dyshime të forta mbi mungesën e kontrollit dhe monitorimit nga strukturat përgjegjëse.

