AKTUALITET /

"AKSHI"/ Apeli i GJKKO-së heq sekuestron e 727 mln lekëve pasuri të 3 biznesmenëve, Agasit i kthen apartamentin. Lë në fuqi sekuestrot për Karçanaj

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, mësohet se është liruar një pasuri e Ergys Agasit, ndërsa pjesa tjetër e pasurive të tij si dhe asetet e Ermal Beqirit mbeten të bllokuara

Shkruar nga Versus

"AKSHI"/ Apeli i GJKKO-së heq sekuestron e 727 mln lekëve

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur sot heqjen e sekuestrove për disa nga pasuritë e personave nën hetim të dosjes “AKSHI”.

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO, mësohet se është liruar një pasuri e Ergys Agasit, ndërsa pjesa tjetër e pasurive të tij si dhe asetet e Ermal Beqirit mbeten të bllokuara, por ka lënë në fuqi sekuestrot për ish-drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj.

GJKKO i hequr sekuestron shumës 123,629,664 ALL në subjektin “F” sh.p.k., në pronësi të biznesmenit Gëzim Hoxha.

Gjithashtu, i është hequr sekuestroja 410,595,663 lekëve  në subjektin “FASTECH shpk" dhe 94,423,883 lekëve në subjektin “FASTECH shpk”, në pronësi të biznesmenit Andis Papa.

Kurse biznesmenit Ergys Agasit i është liruar nga sekuestroja vetëm një apartament.

 Njoftimi i plotë i gjykatës

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 02.06.2026, disponoi për çështjen penale nr. 20 akti, datë 19.05.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.P, M.K, E.B, A.K, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”: “Ankim kundër vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”, vendosi:

Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. G.H.

Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë *** sh.p.k. në shumën 123.629.664 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. A.P.

Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit *** sh.p.k. në shumën 410.595.663 Lekë dhe kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit *** sh.p.k. në shumën 94.423.883 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. E.J.

Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë *** sh.p.k. në shumën 100.840.264 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Ndryshimin e Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon disponimit mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***” në emër dhe për llogari të Z. E.A.

Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon sekuestrimit preventiv të pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***”, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe kthimin e pasurisë tek subjekti apelues *** sh.p.k.

Miratimin e pjesës tjetër të disponimeve të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër vendimit mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar. Versus.al

Poll