
Ish-numri dy i AKSHI-t, Daniel Shima raportohet se është penduar dhe ka rrëfyer në SPAK pengmarrjen në mes të Tiranës të ndodhur disa muaj më parë kur u përfol për zhdukjen e tij rreth 10 orë, por më pas ai u rikthye vetëm pasi ngjarja u bë mediatike dhe familjarët alarmuan policinë.
Në vjeshtën e 2025-ës, zhdukja e tij për 10 orë u duk shumë e mistershme pavarësisht se më pas u aludua se ai ishte larguar nga shtëpia për shkak të një konflikti që kishte patur me të dashurën. Sipas “VNA”, Shima ka treguar të vërteta të frikshme para prokurorëve të SPAK duke rrëfyer me detaje mënyrën sesi ishte rrëmbyer dhe më pas sesi kishte arritur të rifitonte lirinë nga pengmarrësit.
Nuk dihet ende se kë ka implikuar Shima në rrëfimin e tij, por sipas burimeve dëshmia e tij është një tjetër provë e fortë kundër krerëve të grupit kriminal që kanë vepruar tek AKSHI.
Për këtë dosje janë shpallur në kërkim ‘biznesmenët’ Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri të cilët konsiderohen si krerët e grupit që fitonte tendera nga AKSHI dhe rrëmbente biznesnenë të tjerë për t’i detyruar që të tërhiqeshin nga ankimimet. Kjo dosje mund të shndërrohet në skandal kombëtar pasi mund të implikojë zyrtarë të lartë të shtetit dhe të hedhë dritë mbi skemat kriminale të rrëmbimit të personave, për qëllime të errëta. Versus.al



