Alba Balla, motra e kreut parlamentar socialist Taulant Balla, ka reaguar me forcë ndaj akuzave të opozitës që e lidhin atë me operacionin e bujshëm të SPAK dhe BKH-së në kullën luksoze pranë “Myslym Shyrit”, ku u sekuestruan miliona euro cash dhe dhjetëra kuletë kriptomonedhash nga një call-center i dyshuar për mashtrime ndërkombëtare.
Pas pretendimeve të shpërndara gjerësisht dje në media, Balla i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato “tërësisht të pavërteta dhe dashakeqëse”, me qëllim dëmtimin e figurës së saj dhe të vëllait të saj.
Në deklaratën e saj të drejtpërdrejtë, Alba Balla pohon se nuk ka “asnjë njohje, lidhje apo marrëdhënie” me kompaninë në shënjestër të hetimit, e cila u godit nga autoritetet në bashkëpunim me antimafian italiane.
“Jam plotësisht e gatshme të përballen me çdo institucion, media apo individ për të sqaruar të vërtetën time, e cila është një dhe e vetme”, thekson ajo, duke sfiduar hapur pretendimet e opozitës që e portretizojnë si pronare të biznesit të dyshuar.
Reagimi i plotë i Alba Ballës:
Lajmet që kanë qarkulluar sot në lidhje me mua dhe që, për pasojë, kanë përfshirë edhe vëllain tim, janë tërësisht të pavërteta dhe dashakeqëse. I përgënjeshtroj kategorikisht, me përgjegjësi të plotë.
Nuk kam asnjë njohje, asnjë lidhje dhe asnjë marrëdhënie me kompaninë e përmendur në këto pretendime. Jam plotësisht e gatshme të përballem me çdo institucion, media apo individ, për të sqaruar të vërtetën time, e cila është një dhe e vetme./Versus.al

