
Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 57-vjeçarin Nikoll Radaçi, i akuzuar për aksidentin tragjik të ndodhur më 3 maj në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos rëndë një tjetër fëmijë.
Gjatë seancës gjyqësore është zbardhur edhe dinamika e ngjarjes, e rindërtuar nga prokurorja e çështjes, Anila Bebeci.
Sipas saj, Radaçi ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit, nuk u dha ndihmë të miturve dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të datës 3 maj, në rrugën “Ohri” në lagjen 15 të Durrësit.
Sipas prokurorisë, Radaçi, duke drejtuar një automjet tip “Mercedes Benz” me targa AB 909 PC, ka humbur kontrollin dhe është ngjitur në trotuar, ku ka përplasur fëmijët që ndodheshin aty.
Nga ana e tij, i pandehuri ka deklaruar se ka devijuar për të shmangur një mjet tjetër në rrugë.
“Unë po drejtoja në korsi të djathtë, papritur doli një automjet. Devijova për ta shmangur dhe përfundova sipër trotuarit”, është shprehur ai, duke shtuar se më pas shkoi në një dyqan pranë për të kërkuar njoftimin e policisë.
Prokuroria e Durrësit ka ngritur ndaj tij tre akuza: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen”, “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Duke vlerësuar rrezikshmërinë e lartë shoqërore dhe pasojat e rënda të ngjarjes, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke e lënë Radaçin në masën e sigurisë “arrest me burg”./Versus.al


