
Njulend Palaj, 28 vjeç, i njohur si drejtuesi kryesor i lokaleve të basteve të paligjshme “CR7” dhe “333”, ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës gjatë operacionit të koduar “Rezultati”. Ai u kap në flagrancë teksa vetë po vendoste baste sportive.
Kontrollet e kryera nga specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin nr. 4 çuan në arrestimin edhe të katër personave të tjerë: Arsen Zebi, 35 vjeç; Florian Çela, 41 vjeç; Ergest Lloci, 36 vjeç dhe Erigest Alisha, 24 vjeç.
Lokali në zonën e Xhamllikut, në pronësi të Palajt dhe i administruar nga Zebi, shërbente si pikë bastesh sportive, ku u gjetën duke luajtur edhe tre persona të tjerë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjashtë celularë të përdorur për vendosjen e basteve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Palaj është përmendur shpesh në investigime mediatike si “arkitekti” i rrjetit të basteve të paligjshme, të cilat vijojnë të funksionojnë edhe pse janë të ndaluara me ligj. Hetimet dyshojnë se ai mund të jetë vetëm menaxher formal i pikave, ndërsa pas tij fshihen drejtuesit e vërtetë të këtij aktiviteti.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore, të kryera me qëllim konstatimin e ambienteve të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, finalizuar operacionin “Rezultati”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit Nj. P., 28 vjeç, A. Z., 35 vjeç, F. Ç., 41 vjeç, E. Ll., 36 vjeç dhe E. A., 24 vjeç.
Në lokalin në pronësi të 28-vjeçarit, që administrohej nga 35-vjeçari, në rrugën “Sadik Petrela”, u kapën këta të dy dhe 3 të arrestuarit e tjerë, duke vënë baste sportive, me celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.







