
Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja mbi aksidentin e rëndë të ndodhur rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, ku një autobus me pasagjerë doli nga rruga dhe u përmbys.
Sipas të dhënave të përditësuara, si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë. Ndërkohë, 12 pasagjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë.
Nga të lënduarit, shtatë ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa pesë të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po marrin trajtim mjekësor.
Policia sqaroi edhe deklaratën e mëparshme, ku u njoftua gabimisht për dy viktima dhe 15 të plagosur. Sipas autoriteteve, konfuzioni u krijua për shkak të situatës së rënduar në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve në spitale të ndryshme.
Një fëmijë, i cili mbërriti në një spital privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas ai u transportua në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet nën kujdes intensiv.
Sipas grupit hetimor, autobusi ka humbur kontrollin, është përplasur me bordurën anësore të rrugës dhe një prej barrierave metalike ka depërtuar në mjet, duke e bërë aksidentin edhe më të rëndë.
Hetimet paraprake tregojnë se një nga shkaqet e mundshme është humbja e kontrollit nga drejtuesi i autobusit, ndërsa dyshohet se ai mund të ketë pësuar një atak kardiak gjatë drejtimit.Versus.al

