AKTUALITET /

Qeveria miraton bonus 5 mijë lekë për pensionistët, shpërndarja nis nesër

Bonusi prej 5 mijë lekësh do të përfitohet nga 777.200 pensionistë në të gjithë vendin

Shkruar nga Versus

Qeveria miraton bonus 5 mijë lekë për pensionistët,

Qeveria ka miratuar akordimin e bonusit të verës për pensionistët, me vlerë 5 mijë lekë, i cili do të nisë të shpërndahet që nga dita e nesërme. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Në fillim të deklaratës së saj, Ibrahimaj shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave të aksidentit tragjik në autostradën Tiranë–Durrës, ku një minibus i linjës Berat–Tiranë doli nga rruga.

Duke folur për vendimin e qeverisë, ministrja tha se bonusi i verës është bërë i mundur falë performancës pozitive të ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave buxhetore, të cilat do të rikthehen në mbështetje të pensionistëve.

"Që prej fillimit të këtij mandati kemi deklaruar se të ardhurat shtesë të gjeneruara nga performanca pozitive e ekonomisë shqiptare do të shkojnë në mbështetje të pensionistëve. Duke parë ecurinë e të ardhurave gjatë pesëmujorit të parë të vitit dhe të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore dhe doganore, vendosëm të ndërmarrim këtë masë mbështetëse", u shpreh Ibrahimaj.

Sipas saj, bonusi prej 5 mijë lekësh do të përfitohet nga 777.200 pensionistë në të gjithë vendin. Në këtë numër përfshihen 656.325 pensionistë të pleqërisë dhe pensionit social, 65.636 përfitues të pensionit të invaliditetit, 48.400 përfitues të pensionit familjar, si dhe 6.840 përfitues të trajtimeve të veçanta financiare.

Ministrja bëri të ditur se efekti financiar i kësaj mase arrin në rreth 3.7 miliardë lekë, ndërsa shpërndarja e bonusit do të nisë nesër.Versus.al

Poll