
Spitali i Traumës ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurve nga aksidenti tragjik me autobus në autostradën Durrës-Tiranë, ku humbi jetën drejtuesi i mjetit dhe mbetën të plagosur disa pasagjerë.
Shefi i Urgjencës së Traumës, Agustin Suma, bëri të ditur se shoferi i autobusit mbërriti në spital pa shenja jete, ndërsa një pjesë e të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.
Sipas tij, në spital janë trajtuar dy të mitur. Një fëmijë 8-9 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë dhe po merr trajtim intensiv, ndërsa një 14-vjeçar është shtruar në repartin e observimit.
Po ashtu, pesë pacientë të moshës 30 deri në 50 vjeç po i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Dy prej tyre janë shtetas të huaj, identiteti i të cilëve nuk është konfirmuar ende, dhe gjendja e tyre paraqitet e rëndë.
Ndërkohë, pesë të plagosur të tjerë janë stabilizuar në urgjencë dhe nuk paraqesin rrezik për jetën.
"Ekipi mjekësor po ndjek nga afër ecurinë klinike të çdo pacienti", u shpreh Agustin Suma.
Mjekët vijojnë të monitorojnë gjendjen e të lënduarve, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë informacion të ri mbi ecurinë e tyre shëndetësore.Versus.al

