AKTUALITET /

SPAK dërgon në gjyq Rumin e Shijakut dhe 7 persona të tjerë për skemën e falsifikimit të pronave në bregdetin e Durrësit

SPAK ka provuar se Aleksandër Laho, i njohur edhe me aliasin "Rumi", dhe Vullnet Muça, i njohur edhe si Vullnet Kondi ose Vullnet Muharremi, kanë krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal që operonte me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike.

Shkruar nga Versus

SPAK dërgon në gjyq Rumin e Shijakut dhe 7 persona të tjerë

SPAK dërgon në gjyq Rumin e Shijakut dhe 7 persona të tjerë për skemën e falsifikimit të pronave në bregdetin e Durrësit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tetë persona, të akuzuar për pjesëmarrje në një skemë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave shtetërore në zonën bregdetare të Durrësit.

Sipas dosjes hetimore, SPAK ka provuar se Aleksandër Laho, i njohur edhe me aliasin "Rumi", dhe Vullnet Muça, i njohur edhe si Vullnet Kondi ose Vullnet Muharremi, kanë krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal që operonte me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike.

Hetimet tregojnë se grupi falsifikonte dokumente pronësie dhe regjistronte në mënyrë të paligjshme sipërfaqe të mëdha tokash në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës.

Në cilësinë e anëtarëve të grupit kriminal janë marrë të pandehur edhe Agron Bejdolli, Vlash Brahja, Mikel Zaho dhe Artur Isaku. Ndërkohë, ish-specialistja e arkivës, Ermira Avdyli, akuzohet për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim, ndërsa Urim Agasi për mashtrim me pasoja të rënda.

Sipas SPAK, skema kriminale konsistonte në falsifikimin e Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), dokumenteve arkivore dhe regjistrave të pronësisë, me qëllim përvetësimin e tokave shtetërore ose të papretenduara nga ish-pronarët në zonat Shijak–Kepi i Rodonit, Lalëz, Bizë dhe Shetaj.

Më pas, dokumentet e falsifikuara regjistroheshin në sistemin elektronik të Kadastrës me ndihmën e punonjësve të institucionit, ndërsa pronat tjetërsoheshin përmes kontratave të shitjes tek persona të tretë apo investitorë.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, përmes kësaj skeme janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme të paktën 687.798 metra katrorë tokë shtetërore në zonën bregdetare të Durrësit.

Me përfundimin e hetimeve, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme kalimin për gjykim të tetë të pandehurve, të cilët do të përballen me akuzat për grup të strukturuar kriminal, falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe vepra të tjera penale që lidhen me tjetërsimin e pronave.Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi këto pasuri, me një vlerë të përllogaritur rreth 16,89 milionë euro, bazuar në çmimet e tregut për prona të ngjashme në zonë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet vijojnë në një procedim të ndarë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe dokumentimin e episodeve të tjera kriminale.

Poll