AKTUALITET /

Dita e 50-të! Nis marshimi masiv i protestuesve nga Sheshi "Skënderbej" drejt Kryeministrisë.

Pas fjalimeve të disa aktivistëve, pjesëmarrësit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku protesta pritet të vazhdojë.

Shkruar nga Versus

Dita e 50-të! Nis marshimi masiv i protestuesve nga Sheshi

Qytetarët janë mbledhur këtë të diel në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, duke zhvilluar protestën e tyre të 50-të kundër qeverisë Rama dhe opozitës. Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër klasës politike, protestuesit kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre dhe largimin e të gjithë aktorëve politikë.

Pas fjalimeve të disa aktivistëve, pjesëmarrësit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku protesta pritet të vazhdojë.

Organizatorët njoftuan se mobilizimi nuk do të ndalet, duke paralajmëruar protestën e radhës më 23 korrik para Kuvendit të Shqipërisë, në kohën kur do të zhvillohet seanca plenare.

Gjatë fjalës së tij, një prej aktivistëve u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e 23 korrikut, duke theksuar se synimi është t'u dërgohet deputetëve mesazhi se parlamenti aktual nuk përfaqëson vullnetin e tyre. Ai shtoi se në ditët në vijim janë planifikuar edhe forma të tjera reagimi qytetar.

Lëvizja, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, tashmë është zgjeruar me kërkesa më të gjera ndaj qeverisë dhe gjithë klasës politike. Protestuesit akuzojnë institucionet për korrupsion dhe keqqeverisje.

Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë u dëgjuan thirrje si: "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!" dhe "Ju erdhi fundi!".

Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ndërsa marshimi u shoqërua me brohoritje, këngë patriotike dhe pankarta me mesazhe kritike ndaj qeverisë dhe klasës politike./Versus.al

Tags:

protesta

Poll