
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka nderuar kujtimin e gjashtë milionë hebrenjve të vrarë gjatë Holokaustit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe angazhimit të përbashkët kundër urrejtjes dhe dhunës.
Në mesazhin e saj, ambasada ka cituar Sekretarin amerikan Rubio, i cili ka deklaruar se “antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë”, duke riafirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar antisemitizmin dhe çdo përpjekje për shtrembërimin e Holokaustit.
Ambasada ka vlerësuar gjithashtu rolin unik të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar atë si një nga të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku hebrenjtë gjetën strehim dhe shpëtim, falë guximit dhe solidaritetit të shqiptarëve të zakonshëm.
Po ashtu, është përshëndetur partneriteti i vazhdueshëm i Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, përfshirë miratimin vitin e kaluar të Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët, një hap që synon avancimin e drejtësisë dhe kompensimit për pronën kulturore të periudhës së Holokaustit.
Ambasada amerikane ka ritheksuar se kujtimi i së kaluarës mbetet thelbësor për ndërtimin e një të ardhmeje pa urrejtje dhe diskriminim.
Postimi i ambasadës:
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ne nderojmë gjashtë milionë viktimat hebreje të Holokaustit dhe ritheksojmë përgjegjësinë tonë të përbashkët për të kujtuar të kaluarën dhe për të punuar drejt një të ardhmeje pa dhunë dhe urrejtje.
Siç ka thënë Sekretari Rubio, “Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë”. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t’u përballur me antisemitizmin dhe shtrembërimin e Holokaustit. Ne e njohim historinë e veçantë të Shqipërisë si një nga të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku hebrenjtë gjetën strehim, falë guximit të shqiptarëve të zakonshëm. Ne mirëpresim partneritetin e vazhdueshëm të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, siç është miratimi i saj vitin e kaluar i Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët, të cilat çojnë përpara drejtësinë dhe kompensimin për pronën kulturore të periudhës së Holokaustit./Versus.al

