
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Durrës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën në ambientet e një shkolle të mesme.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15 në palestrën e shkollës “Marie Kaçulini”, e cila përdoret aktualisht për mësim nga gjimnazi publik “Gjergj Kastrioti”, pas dëmtimit të godinës së tij nga tërmeti dhe procesit të rindërtimit.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, i mituri është ndjerë papritur keq teksa ndodhej në palestër dhe ka humbur ndjenjat.
Menjëherë është njoftuar urgjenca dhe ai është transportuar me autoambulancë drejt spitalit, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale, konkretisht si pasojë e një arresti kardiak.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Versus.al

