AKTUALITET /

E vetme përballë ‘histerisë’ kolektive, nëna e 3 fëmijëve në Durrës i rikthehet punës me 1 turn! Shërbimi Social: Si është situata e tyre sot

Blerina, megjithëse e vetme përballë “histerisë” së rrjetit e komenteve denigruese, kërkoi me insistim që fëmijët të qëndrojnë me të.

Shkruar nga Blerina Moka
E vetme përballë ‘histerisë’ kolektive, nëna e 3
Blerina Basha

Ditët e para të janarit të këtij viti, një video që qarkulloi në rrjet me pamje të frikshme nga banesa e një familje me 3 fëmijë të vegjël në zonën e Plazhit në Durrës, shkaktoi stuhi në rrjet duke u bërë virale dhe ngjallur shumë diskutime, ku në qendër ishte nëna e të miturve e cila akuzohej nga ish-vjehrra e saj për gjendjen e tmerrshme në të cilën jetonin nipërit e saj.
Kaq u desh dhe gjyqi ndaj Blerina Bashës nisi. Në rrjete dhe në televizione, të gjithë u morën me të dhe harruan të pyesnin se si ndjehej ajo dhe çfarë e kishte detyruar të punonte me 2 turne duke lënë vetëm në shtëpi 3 fëmijët e moshës 5, 10 dhe 12 vjeç.

Gjuetia e shtrigave nuk u ndal por të gjithë ishin gati “të digjnin” në turrën e druve “mëkataren” me fustan të bardhë dhe e kuruar që fati e kishte dashur ti jepte dhe bukurinë.

E vetme përballë ‘histerisë’ kolektive, nëna e 3

Në të gjithë zhurmën mediatike, pak kush u mor me familjen e burrit, nënën e tij që dukshëm tregoi se nuk e “honepste” Blerinën çka u pa dhe në video kur i pyeste nipërit se tek ajo ishin më mirë se në shtëpi me nënën e tyre.

Por Blerina, megjithëse e vetme përballë “histerisë” së rrjetit e komenteve denigruese, kërkoi me insistim që fëmijët të qëndrojnë me të.

Sot pas 5 muajsh, kur zhurma e kësaj ngjarje është fashitur disi, askush nuk pyet se çfarë po bën Blerina Basha dhe si po vijon jeta e saj.

E pyetur nga Versus, Blerina tregoi se jeta e saj ka rrjedhur normal, ajo ka gjetur një punë dhe punon për të mbajtur fëmijët e saj.

“Pranë kam vetëm familjen time, askënd tjetër. Unë e di që gjithçka u bë për të më dëmtuar imazhin para fëmijëve por nuk ja dolën”, tha Blerina, kur u pyet për situatën aktuale në të cilën ndodhet ajo dhe 3 fëmijët e saj.
Ne u interesuam pranë Shërbimit Social në Durrës ku konfirmuam atë çka na tregoi nëna e re. Që jeta e saj është normalizuar.

“Në lidhje me rastin e znj. Blerina Basha dhe tre fëmijëve të saj, pas rivlerësimit dhe monitorimit të vazhdueshëm të situatës familjare, ju informojmë se aktualisht gjendja paraqitet e stabilizuar dhe familja është duke vijuar procesin e integrimit social dhe ekonomik në komunitet.

Nëna e fëmijëve është punësuar dhe ka krijuar kushte më të qëndrueshme jetese për familjen. Familja është përfituese e Bonusit të Qirasë, duke siguruar strehim të qëndrueshëm. Të tre fëmijët frekuentojnë rregullisht institucionet arsimore dhe nuk janë evidentuar problematika të reja që lidhen me mirëqenien apo mbrojtjen e tyre.

Fëmijët janë përfshirë edhe në programet After School pranë Qendrës “Fuqizojmë Komunitetin”, me qëllim mbështetjen e zhvillimit dhe integrimit të tyre social”, thuhet në përgjigjen e pyetjeve që “Versus” i drejtoi institucionit të Shërbimit Social në Durrës.

Në raportin e monitorimit nga ana e inspektorëve social për rastin në fjalë, thuhet se “strukturat e mbrojtjes së fëmijëve kanë vijuar monitorimin periodik të rastit dhe deri në këtë moment nuk janë evidentuar problematika të reja që kërkojnë ndërhyrje emergjente|”.

Më tej, Shërbimi Social Durrës konfirmon se edhe prokuroria e rrethit nga ana e saj ka verifikuar rastin e Blerinës dhe fëmijëve të saj, pas akuzave të bëra nga familjarët e ish-bashkëshortit.

Në fund të kësaj historie, ajo që duhet të mbetet në memorien e të gjithëve janë fjalët e një gruaje të re që kërkuan tja merrnin fëmijët nga gjiri.

“Nuk i braktisa. Isha në punë. Paguhem 400 mijë lekë në muaj dhe paguaj 300 mijë qiranë e shtëpisë. Nuk kam të ardhura të mjaftueshme për t’i rritur dhe ushqyer fëmijët, nuk mund të jem gjithmonë pranë tyre“, tha ajo pas publikimit të videos në muajin janar. Versus.al

Poll