Detaje të reja janë publikuar ditën e sotme lidhur me atentatin e ndodhur dje në Vlorë ku mbeti i vrarë 30 vjeçari Kristian Marku nga Rrësheni.
Burime bëjnë me dije se deri më tani 4 persona nga Rrësheni, anëtarë të fisit Reçi janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje mbi atentatin e ndodhur. Ata po pyeten lidhur me përplasjen e mëhershme mes tyre dhe fisit Marku, ndërsa deri më tani, në dëshmitë e tyre kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen e ndodhur në Novoselë të Vlorës.
Mësohet se autorët të cilët dyshohet të kenë qenë 3 persona, e kanë pritur të riun në mbikalimin e Novoselës ku kanë nisur ta ndjekin dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri. 30 vjeçari mori 3 plumba në trup dhe humbi jetën në vendngjarje.
Ashtu si në ngjarjet e tjera kriminale, autorët dogjën automjetin e përdorur gjatë këtij atentati, ndërsa arma e krimit ende nuk është gjetur.
Një ndër pistat kryesore të hetimit lidhet me hakmarrjen 28 vjeçare mes fiseve Reçi e Bardhi në qytetin e Rrëshenit. Viktima, i cili përdorte edhe emrin Kristian Bardhi, është nipi i Martin Bardhit i cili u eksekutua në Rreshen në shtator të vitit 2023.
Ndërsa në vitin 2020 ishte ekzekutuar me snajper Kastriot Reçi. Në mars të vitit 2023, nipi i tij Saimir Reçi i shpëtoi një atentati me armë zjarri, për të cilin u arrestua viktima e djeshme Kristian Marku, por u lirua më pas sepse nuk u arrit të provohej përfshirja e tij në ngjarje. Versus.al








