
Gjykata e Tiranës ka miratuar masat e sigurisë të kërkuara nga Prokuroria për katër persona të përfshirë në ndërtimin e një pallati ku dyshohet se janë shtuar dy kate në kundërshtim me lejen e ndërtimit.
Masat “arrest në burg” janë caktuar për Mirsim Jellën, Ferdinand Shtëmbarin dhe Fiqiri Likën, ndërsa ndaj Adriatik Shtëmbarit është vendosur masa “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë, Prokuroria po vijon hetimet edhe ndaj zyrtarëve të IMT-së dhe IKMT-së për të zbardhur rrethanat se si u lejua tejkalimi i lejes së ndërtimit në objektin e bllokuar pranë rrugës “Llukë Kacaj”.
Sipas dosjes hetimore, pallati ishte pajisur me leje për 9 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë, por gjatë zbatimit të projektit janë ndërtuar edhe dy kate shtesë. Hetimet kanë evidentuar se punimet kanë vijuar për një kohë të gjatë pa ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, megjithëse shkeljet kanë qenë të dukshme në terren.
Në aktet hetimore përfshihet edhe një raport i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku inspektorët e Komisariatit nr. 4 kanë deklaruar se nuk kanë pasur informacion për tejkalimin e lejes së ndërtimit.
Prokuroria ka administruar si prova kontrata, dokumente pagesash dhe dëshmi të personave të përfshirë, ndërsa të dyshuarit kanë mohuar akuzat. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e plota penale dhe institucionale në këtë çështje.

