
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar sot një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se merrej me trafik droge dhe pastrim parash, kryesisht me bazë në Tiranë.
Gjatë operacionit është arrestuar biznesmeni Orest Sota, ndërsa ndaj Artur Koçekut është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Po ashtu, SPAK ka shpallur në kërkim biznesmenin Ilir Shtufi dhe Artur Shehun, shtetas shqiptaro-amerikan, i cili po hetohet edhe për veprën penale të tjetërsimit të pronave.
Për biznesmenin Edmond Jaupaj, autoritetet kanë vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se drejtuesit e këtij grupi kriminal ndodhen jashtë vendit, konkretisht në Dubai, ndërsa struktura e organizatës vepronte në disa nivele.
Në total, SPAK ka lëshuar 20 masa sigurie ndaj anëtarëve të dyshuar të grupit kriminal, të cilët akuzohen për përfshirje në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Hetuesit dyshojnë se të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar kryesisht në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.Versus.al

