AKTUALITET /

EMRI/ Transportonte emigrantë ilegal, arrestohet 35 vjeçarja! Skema se si bëhej transporti i klandestinëve

Policia e Tiranës ka arrestuar një 35-vjeçare e dyshuar për trafikimin e emigrantëve ilegalë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Hetimet zbulojnë se ajo përdorte makina me qira për të shmangur kontrollin e autoriteteve dhe organizonte shpërndarjen e emigrantëve nga qytete të ndryshme deri në destinacionet e tyre.

Shkruar nga Versus

EMRI/ Transportonte emigrantë ilegal, arrestohet 35 vjeçarja! Skema

Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e shtatë të operacionit të koduar “Relay”, duke arrestuar Elsona Çoba, 35 vjeçe, banuese në Rrogozhinë, e dyshuar për trafikimin e emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ajo u kap në flagrancë pranë Lezhë, teksa transportonte me automjetin e saj tip “BMW” pesë emigrantë të paligjshëm, të cilët dyshohet t’i kishte marrë në Vorë. Sipas hetimeve, secilit emigrant ajo i kishte kërkuar 2 500 euro për transport drejt Italisë.

Operacioni zbuloi se Çoba është e përfshirë prej tre vitesh në këtë skemë dhe përdorte deri në tre makina me qira në Tiranë, Rinas ose Fushë-Krujë për të shpërndarë emigrantët, duke shmangur kontrollin e policisë. Emigrantët e kapur janë nga Egjipti dhe Jemeni.

Hetimet vijojnë për dy persona të tjerë të dyshuar si pjesë e grupit të trafikut, ndërsa burimet thanë se emigrantët fillimisht ndaloheshin në Vorë, më pas transferoheshin me makina të tjera drejt Shkodrës dhe më pas dërgoheshin nga grupe të tjera kriminale drejt Italisë.

Automjeti i përdorur për transportin është sekuestruar si provë materiale, ndërsa 35-vjeçarja nuk ka pranuar të bashkëpunojë për të zbuluar rrjetin e trafikut.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet faza e shtatë e operacionit të koduar “Relay”.
Arrestohet një 35-vjeçare që transportonte emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së.
35-vjeçarja, dyshohet se iu ka marrë emigrantëve, nga 2500 euro, me premtimin se do t’i transportonte në Itali.
Sekuestrohet automjeti tip “BMW” me të cilin transportoheshin emigrantët.
Si rezultat i një informacioni të marrë për një shtetase e cila do të transportonte disa emigrantë, ilegalisht dhe kundrejt pagesave, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me DVP Lezhë, finalizuan operacionin e koduar “Relay 7”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasja E. Ç., 35 vjeçe, banuese në Rrogozhinë.
35-vjeçarja u kap në flagrancë, në afërsi të Lezhës, teksa transportonte 5 emigrantë, të cilët i kishte marrë në Vorë.
Ndërkaq, nga hetimi dyshohet se 35-vjeçarja iu ka marrë secilit prej emigrantëve, 2500 euro, me premtimin se do të mundësonte transportimin ilegal të tyre, në Itali.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimi për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Versus.al

 

Poll