
Fatime Kryemadhi, nëna e ish-deputetes Monika Kryemadhi, është tërhequr nga kërkesa e saj për gjykim të shkurtuar në dosjen e Ilir Metës ku akuzohet për pastrim parash.
Gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme, para se SPAK të lexonte pretencën përfundimtare, Kryemadhi kundërshtoi vijimin e procesit me gjykim të shkurtuar, duke deklaruar se nuk e ndjen veten fajtore dhe se organi i akuzës nuk ka marrë në konsideratë të ardhurat e saj.
“Nuk dua gjykim të shkurtuar. Nuk e ndjej veten fajtore. SPAK nuk ka marrë asgjë parasysh nga të ardhurat e mia”, u shpreh ajo para gjyqtarëve.
Gjyqtarja i sqaroi të pandehurës se gjykimi i shkurtuar nuk nënkupton pranimin e fajësisë, por zhvillimin e procesit mbi bazën e akteve dhe provave të administruara deri në atë fazë të hetimit dhe gjykimit. Ndërkohë gjykimi për Metën dhe Monika Kryemadhin, zhvillohet veçmas. Versus.al

