
Tre banesa janë përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në lagjen “Loni Dhamo” të Lushnjës. Shtëpitë e prekura nga zjarri ndodhen vetëm pak metra larg nënstacionit elektrik të qytetit.
Banorët sapo kanë parë flakët njoftuan menjëherë zjarrfikësen, e cila mbërriti në vendngjarje për të ndërhyrë. Raportohet se asnjë nga banorët nuk është lënduar, pasi kanë arritur të dalin në kohë nga banesat. Një person është transportuar me ambulancë drejt spitalit, pasi është ndier keq si pasojë e tymit të dendur.
Forcat zjarrfikëse po vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit në banesa të tjera. Dy prej banesave janë shkrumbuar totalisht, ndërsa një tjetër është djegur pjesërisht.
Shefi i zjarrfikëses në Lushnje deklaroi se zjarri ka qenë aksidental, por pritet ekspertiza për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes./Versus.al

