
Gazetari Ferdinand Dervishi dha disa detaje të reja për vrasjen e 43-vjeçarit Mond Mëhalla, një natë më parë në Elbasan.
Dervishi tha se Mëhalla ishte një njeri me dy biznese në Elbasan dhe me precedentë, ndërsa vëllai i tij ishte arrestuar në Itali 12 vite më parë si pjesë e grupit të Alibejt.
“Mond Mëhalla ka dy biznese të njohura, një pikë karburanti dhe një kompani taksish në Elbasan. Është i vëllai i Aldo Mahallës, i cili është arrestuar në Itali në vitin 2013 në një maksioperacion në zonën e Astit, një nga operacionet më të mira të policisë italiane, në qendër ishte grupi i Alibejt.
Vëllai është me precedentë, po dhe vetë ky nuk është se është jashtë kësaj. Në vitin 2021 është bërë një kontroll në banesë nën dyshimin se merrej me tregti kokaine dhe i kanë gjetur një armë. Është arrestuar, por nëna vet e merr pronësinë e pistoletës dhe thotë që arma është e tim shoqi që ka vdekur dikur, dhe unë se s'dija gjë për ekzistencën e saj në shtëpi.
Kohët e fundit raportohet që nuk ka qenë i shqetësuar, nuk ka treguar se ka qenë i shqetësuar. Ka qenë një njeri i qetë në punë të vet. Kemi parasysh që grupi Alibej është përplasur fort në Elbasan me Çopjat dhe me Çelën.
Përplasja ka qenë për vjedhjen e një sasie prej 50 kilogramësh kokainë.
Çopjat i jepnin Nuredin Dumanit dhe kjo është e zbardhur në këto biseda 2 milionë euro për Alibejn. Është e shkruar kjo, 2 milionë euro, që ta hedhësh në erë gjithë pallatin e tij. Pra gjithë pallati, çfarë ka 200-300 vetë, le të vdesin mjaft të vdesë ai. Kjo është në përgjime.
Pistat janë të gjitha të hapura, që nga problemet e biznesit, që nga problemet në përplasje për trafikun e drogës”-tha Dervishi në emisionin "Të Paekspozuarit".
