Çdo vendim i Irena Gjokës është i pavlefshëm. Kështu u shpreh avokati, Genc Gjokutaj pas vendimit të GJKKO-së për të kthyer çështjen Partizani në themel. Gjokutaj u shpreh se kryetarja e GJKKO-së nuk plotëson kushtet për të qenë gjyqtare. Sipas tij, kërkesën e bërë nga pala e Berishës u janë rrëzuar pa argumentim.
“Sot paraqitëm me shkrim kërkimin për pavlefshmëri për të gjitha aktet, sepse ishim koshientë dhe të bazuar në ligj. Nuk kishim hapësirë tjetër ku t’i kërkonim këto pavlefshmëri. Irena Gjoka, është vërtetuar se në kohën e vendimmarrjes së saj për këtë çështje, nuk ka pasur kushtet për të qenë gjyqtare. Automatikisht vendimi bëhet i pavlefshëm. Këtë kërkesë na e rrëzoi pa e argumentuar. Ne nuk kemi kërkuar gjykim të shkurtuar, do të ecet me gjykim të zakonshëm”, deklaroi ai.
I pyetur nëse do të jetë Berisha prezent në seanca, Gjokutaj u shpreh se do të jetë e domosdoshme.
“Nuk dijmë ku të gjejmë një shpjegim mes qartjes së gjyqtarit dhe atij Kodit të Procedurave. Zoti Berisha do jetë prezent në ato seanca që do jetë e domosdoshme, por në seanca me debat procedurial jo”, përfundoi ai.
Për çfarë e akuzon Prokuroria e Posaçme Berishën?
Prokuroria e Posaçme (SPAK) e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike dhe të motivuara nga kryeministri Edi Rama. Versus.al







