
Ish-deputetja e PD dhe moderatorja Grida Duma, ka folur së fundmi për atë që mendon lidhur me protestat masive që prej javësh kanë përfshirë vendin dhe janë përhapur edhe në diasporë me kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës.
Ndërkohë që në rrjetet sociale ka patur kritika ndaj saj për qëndrimin e mbajtur, Duma shprehet se i gëzohet protestës përsa i takon frymëzimit që ka sjellë, por nuk i gëzohet ekzaltimeve që sipas saj kalojnë edhe në delir.
“Pra, unë i gëzohem kësaj proteste sa i përket shumësisë së numrave aty, frymëzimit me meme apo me qëndrime të bukura, qofshin me AI apo me inteligjencë emocionale, i gëzohem për qëndrueshmërinë e saj, për paqen e vet, i gëzohem për 100 arsye, por nuk i gëzohem për mbigëzimet e saj, sepse ajo është një ngjarje serioze.
Thënë kjo, mbigëzimet janë ekzaltimet dhe ekzaltimet janë delire të cilat herë pas here i çojnë këto ngjarje në dështime, sepse një gjë është e sigurt: që ngjarjet të funksionojnë dhe të fitojnë duhet të prodhojnë qartë jo vetëm qëndrueshmëri, por edhe vizionin e saj.
Prandaj ato duhen parë në thellësi, duhen ndalur dhe dëgjuar në të gjithë gjerësinë e saj, duke marrë parasysh që një media e madhe, një komunikim i madh publik, nuk i qaset 10, 20, 100 apo 200 mijë qofshin në shesh, i qaset 20, 30, 200, 3 milionë e shumë më tepër që janë shqiptarë mbarë e që na shohin”- u shpreh ajo ndër të tjera. Versus.al

